50 për qind e grupeve ushqimore i paguajmë më shtrenjtë se Europa, rekord dhe në rajon
Shqipëria ka çmimet më të larta të ushqimeve në rajon, edhe pse bujqësia zë rreth 15% të PBB-së.
Shqipëria ka një nga peshat më të larta të bujqësisë në ekonominë europiane, me gati 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kundrejt rreth 2% mesatarisht në Bashkimin Europian dhe më pak se 8% në vendet e tjera të rajonit. Megjithatë, kjo peshë nuk po përkthehet në ushqime më të lira. Të dhënat e krahasueshme të nivelit të çmimeve, ku mesatarja e BE-së është 100, e vendosin Shqipërinë në indeksin 103.8 për ushqimet dhe pijet joalkoolike në vitin 2025, ose 3.8% mbi mesataren europiane dhe në nivelin më të lartë në rajon.
Serbia ka indeksin 97.1, Mali i Zi 86.5, Bosnjë-Hercegovina 85.8 dhe Maqedonia e Veriut 74.8. Kështu, ushqimet dhe pijet joalkoolike kushtojnë në Shqipëri rreth 7% më shumë se në Serbi, 20% më shumë se në Malin e Zi, 21% më shumë se në Bosnjë-Hercegovinë dhe gati 39% më shumë se në Maqedoninë e Veriut. Vetëm për ushqimet, Shqipëria ka indeksin 102.9, kundrejt 96.6 në Serbi, 84.6 në Bosnjë-Hercegovinë dhe Malin e Zi dhe 74.3 në Maqedoninë e Veriut.
Gjysma e grupeve ushqimore mbi mesataren e BE-së
Nga 12 grupet e detajuara që raporton Eurostat, në 6 prej tyre çmimet në Shqipëri janë më të larta se mesatarja europiane. Diferenca më e fortë te produktet bazë regjistrohet për qumështin, produktet e bulmetit dhe vezët, ku indeksi arrin në 135.6, ose 35.6% mbi mesataren e BE-së. Serbia ka indeksin 107.1, Mali i Zi 95, Bosnjë-Hercegovina 92 dhe Maqedonia e Veriut 89.6. Shqiptarët i paguajnë këto produkte rreth 27% më shtrenjtë se serbët, 43% më shtrenjtë se malazezët dhe mbi 50% më shtrenjtë se konsumatorët në Maqedoninë e Veriut.
Ushqimet e gatshme dhe produktet e tjera ushqimore kanë indeksin 128.2, ose 28.2% mbi mesataren e BE-së, ndërsa për sheqerin, ëmbëlsirat dhe produktet e pastiçerisë indeksi është 123.1. Te pijet joalkoolike Shqipëria është përsëri vendi më i shtrenjtë i rajonit, me indeks 114.3, ndërsa vajrat dhe yndyrnat kanë indeksin 112.5. Në këtë kategori, Serbia është më e shtrenjtë me indeks 128.4 dhe Mali i Zi me 119.4.
Mishi dhe peshku pranë niveleve europiane
Te mishi dhe produktet e kafshëve të therura, Shqipëria ka indeksin 98, pak nën mesataren e BE-së, por përsëri më të lartin në rajon. Serbia ka indeksin 86.1, Bosnjë-Hercegovina 83, Maqedonia e Veriut 77.6 dhe Mali i Zi 71. Për peshkun dhe produktet e detit, Shqipëria ka indeksin 96.5 dhe renditet pas Serbisë, e cila ka indeksin 106.7, por mbi Malin e Zi me 90.2, Bosnjën me 88.3 dhe Maqedoninë e Veriut me 80.5.
Edhe te produktet që prodhohen gjerësisht në vend diferencat me rajonin mbeten të ndjeshme. Për frutat dhe arrat, Shqipëria ka indeksin 92.1, krahasuar me 95.9 në Serbi, 77.9 në Malin e Zi, 71.2 në Bosnjë-Hercegovinë dhe 52.4 në Maqedoninë e Veriut. Krahasuar me këtë të fundit, niveli i çmimeve në Shqipëri është rreth 76% më i lartë.
Për perimet, zhardhokët, bananet e gatimit dhe bishtajoret, indeksi shqiptar është 91.2, pothuajse i njëjtë me Serbinë, por rreth 20% më i lartë se në Bosnjë, 22% mbi Malin e Zi dhe 27% mbi Maqedoninë e Veriut. Te drithërat dhe produktet e drithërave, Shqipëria ka indeksin 84 dhe është më e shtrenjtë se Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa vetëm Serbia, me indeks 87.3, ka çmime më të larta.
Pijet alkoolike, 59% mbi mesataren e BE-së
Kategoria me nivelin më të lartë të çmimeve në Shqipëri janë pijet alkoolike, me indeks 159, ose 59% mbi mesataren e Bashkimit Europian. Mali i Zi ka indeksin 128.8, Serbia 116.3, Maqedonia e Veriut 99 dhe Bosnjë-Hercegovina 92.6. Në kategorinë më të gjerë “pije alkoolike, duhan dhe narkotikë”, Shqipëria ka indeksin 81.7, nën mesataren europiane, por përsëri më të lartin në rajon.
Të dhënat nxjerrin në pah kontrastin mes peshës së lartë të bujqësisë në ekonominë shqiptare dhe çmimeve që paguajnë konsumatorët. Megjithëse bujqësia përbën rreth 15% të PBB-së, në shumë kategori ushqimore çmimet janë jo vetëm më të lartat në rajon, por edhe mbi mesataren europiane. Ndërkohë, produkti më i lirë në Shqipëri rezulton duhani.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)